ALNUG & ALSSUG takimi i dytë
Sot në ambientet e Innovation Centre Kosovo dy grupet e përdoruesve të teknologjive të Microsoft, Abanian .Net User Group dhe Albanian SQL Server User Group organizuan takimin e dytë me radhë, të përbashkët.
Takimi u hap nga Dukagjin Maloku, Microsoft SQL Server MVP dhe lider i ALSSUG dhe Betim Drenica, lider i ALNUG të cilët folën për organizimin, falenderuan sponsorët dhe kërkuan angazhim më të gjerë të vullnetarëve për folës në tema të ndryshme në të ardhmen.
Sesioni i parë ishte ai i Betim Drenicës (@betimdrenica) i cili foli për “Web Services: Dje - Sot”, duke prekur pak aspektin biznesor të përdorimit të web api-s më herët dhe në ditët e sotme, për të vazhduar më tej me një shpjegim më të gjerë për teknologjinë e ueb shërbimeve dhe standardin HTTP 1.1 dhe për ta mbyllur me shembull real të implementimit të një ueb shërbimi. Prezantimin mund ta shkarkoni nga SlideShare.
Sesioni i dytë ishte ai i Egzon Zenelit (@egzonzeneli) i cili foli për “Window Functions in SQL Server 2012”. Me një informacion gjeneral se çfarë janë dhe ku e si mund të përdoren këto funksione, Egzoni mori një mori shembujsh real të përdorimit të funksioneve “window” për ta mbyllur prezantimin e tij me disa përdorime të avancuara në një bazë shënimesh në SQL Server.
Sesioni i tretë ishte ai i Veton Shalës i cili foli për “Programimi asinkron në C# 5.0”. Vetoni së pari foli për konceptin e asinkronisë dhe pastaj tregoj se si ka evoluar C# si gjuhë programuese në implementimin e këtij funksionaliteti.
Nuk duhet harruar pa përmendur që kjo ngjarje u përkrah edhe nga Shoqata e Teknologjisë së Informacionit dhe Komunikimit të Kosovës - STIKK, dhe nga portali Digjitale.Com.